Përderisa para publikut në Kosovë, kryeministri Albin Kurti paraqiste shqetësim për grupe huliganësh serbë që vijnë në Kosovë për Vidovdan, prapa perdeve, ishte Qeveria e tij që me para të taksapaguesve financonte rregullimin e hapësirës për ta në Gazimestan.

VOX Kosova ka gjetur se në pesë vitet e fundit, duke nisur nga 2022-ta, Qeveria Kurti, rregullisht jep tenderë për të ndrequr hapësirën përreth monumentit në Gazimestan.

Dhe a e dini se në çfarë periudhash? Secilën herë pak ditë para Vidovdanit.

Secilën herë për t’ua bërë më të rehatshëm shënimin e kësaj date serbëve, apo grupeve që vijnë dhe provokojnë në Kosovë. Siç ndodhi edhe këtë vit.

Dhe edhe këtë vit, Qeveria Kurti ishte aty për ta.

Përmes një tenderi lëshuar nga Ministria e Kulturës, ua kositi barin, ua pastroi hapësirat, ua rregulloi terracën e ua vendosi shportat e mbeturinave.

E si gjithëherë, ndërsa në publik paralajmëronte rrezik nga provokatorët serbë, në prapaskenë Qeveria e Albin Kurti kujdesej që ata të gjenin Gazimestanin të rregulluar e gati për ceremoninë.