Këtë të mërkurë, duke filluar nga ora 16:00, në Prishtinë, do të mbahet protestë kombëtare pas vrasjes së Alrinda Zekajt nga kunati i saj me sëpatë, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por që nuk iu ishte ofruar.

Protesta është thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist. Ata kanë paraqitur edhe gjashtë kërkesa, të cilat i kanë quajtur ultimatume.

Një prej kërkesave është shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveça, i asaj të Drejtësisë, Donika Gërvalla, e dorëheqja e Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Kërkesë tjetër është shkarkimi, ndjekja penale për kryeprokuroren e Pejës Lumturie Vuçetaj, prokuroren e rastit të Zekajt, Suada Rama Hamza, Kryetarin e Gjykatës në Pejë, Shemsedin Haxhiaj, Gjykatësin Migjen Kastrati, ushtruesen e detyrës së QPS-së, Shpresa Lukajn, si dhe çdo zyrtarë tjetër të përfshirë.

Kolektivi Feminist ka kërkuar edhe trajtimin e vrasjes së grave si urgjencë kombëtare si dhe sigurimin e banimit social për të mbijeturat e dhunës në bazë gjinore.

Po ashtu, është kërkuar edhe veting apartiak dhe i pavarur i sistemit të drejtësisë dhe legalizim i vetëmbrojtjes për gra.

Arlinda Zekaj u vra të dielën e 25 tetorit. Ajo kishte kërkuar mbrojtjen e shtetit dhe kishte paralajmëruar se mund të vritej, por nuk kishte marrë mbrojtjen.

Vrasësi i saj, Albert Sylaj, u arrestua dy ditë pas ngjarjes.