Nga kriza në krizë Historiku i bllokadave politike ndër vite

Nga dorëheqja e Fatmir Sejdiut e deri te bllokada aktuale në Kuvend, përmes krizave me presidentë jolegjitimë, ngërçeve paszgjedhore, përplasjes për Demarkacionin e Asociacionin, rrëzimit të Qeverisë Kurti dhe kontestimit të Qeverisë Hoti – historia politike e Kosovës pas pavarësisë është ndërtuar mbi cikle të njëpasnjëshme krizash institucionale.

Nga kriza në krizë Historiku i bllokadave politike ndër vite

Flamuri i Kosovës pranë ndërtesës së Qeverisë.

Kosova është futur sërish në një spirale krize institucionale, për shkak të pamundësisë për të konstituuar Kuvendin pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Krejt kjo për shkak të refuzimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të gjetur një zgjidhje kompromisi, ashtu siç edhe kërkoi Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj për këtë çështje. Por, kjo krizë politike është një vazhdimësi e situatave të kaluara, në të cilat vendi për muaj me radhë ishte futur në një rrugë pa zgjidhje.

2010 – Vendimi për Fatmir Sejdiun dhe rrëzimi i Qeverisë

Kriza e parë e rëndë politike nisi në shtator të vitit 2010, kur Gjykata Kushtetuese konstatoi se Presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu, kishte shkelur Kushtetutën duke mbajtur njëkohësisht edhe pozitën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky vendim çoi në dorëheqjen e Sejdiut dhe krijoi një vakum institucional që përfundoi me shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në dhjetor 2010.

Fatmir Sejdiu

2011 – Presidenti i 36 ditëve

Pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010, në mars 2011, Kuvendi zgjodhi Behgjet Pacollin, kryetarin e AKR-së, president të vendit, në një seancë të kontestuar, pa prani të opozitës dhe me procedura të dyshimta. Rasti u dërgua nga opozita në Kushtetuese. Ajo intervenoi sërish, duke vendosur se zgjedhja e Pacollit ishte antikushtetuese. Ky vendim e detyroi atë të dorëhiqet pas vetëm 36 ditësh në detyrë, duke thelluar krizën institucionale, e cila do të përfundonte me zgjedhjen e një kandidateje konsensuale, Atifete Jahjagën, si kryetare të shtetit.

Behgjet Pacolli

2014 – Bllokada e VLAN-it

Një ndër ngërçet më të thella politike pasluftës ndodhi në vitin 2014. Një koalicion paszgjedhor i emëruar si VLAN (VV, LDK, AAK, Nisma) sfidoi partinë fituese të zgjedhjeve të 2014-së, PDK-në e Hashim Thaçit, duke tentuar të krijojë institucionet pa të. Madje, edhe e kishin zgjedhur Isa Mustafën e LDK-së si Kryetar të Kuvendit. PDK iu drejtua Kushtetueses. Vendimi i saj se partia e parë fituese ka të drejtën ekskluzive të propozimit të Kryetarit të Kuvendit dhe të drejtën që herën e parë ta ketë mandatarin për qeveri e bllokoi VLAN-in dhe i hapi rrugë formimit të një koalicioni qeverisës mes PDK-së dhe LDK-së, me Isa Mustafën Kryeministër.

Liderët e VLAN-it: Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Fatmir Limaj dhe Albin Kurti.

2015–2017 – Gazi lotsjellës, Demarkacioni dhe Asociacioni

Një nga periudhat më të rënda për vendin është ajo e viteve 2015–2017. Kjo kohë u karakterizua me krizë të ashpër institucionale e parlamentare, ku opozita e udhëhequr nga Albin Kurti përdori gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit për të penguar marrëveshjet për Demarkacionin me Malin e Zi dhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Seancat parlamentare në shumë raste u bënë të pamundura, ndërsa Kuvendi i Kosovës shumë shpesh funksiononte vetëm me praninë e pozitës dhe nën masa të jashtëzakonshme sigurie. Po ashtu, opozita e drejtuar nga VV-ja, organizoi edhe demonstrata të dhunshme. Në një rast, Kuvendi ishte gjuajtur me zollë, por askush nuk është dënuar për këtë rast deri më tani.

Gazi lotsjellës i hedhur nga opozita e kryesuar nga VV, duke kundërshtuar Demarkacionin.

2020 – Rrëzimi i Qeverisë Kurti dhe vendimi i Kushtetueses për Hotin

Në mars 2020, kriza politike rifilloi me prishjen e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së, i arritur pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019. Qeveria Kurti u rrëzua me mocion mosbesimi nga partneri i koalicionit, vetëm 50 ditë pas marrjes së mandatit. Mocioni i mosbesimit kishte ardhur pasi që Kurti kishte shkarkuar Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu – që vinte nga radhët e LDK-së – pa asnjë paralajmërim. Përvec kësaj, një nga shkak tjetër i rrëzimit të Qeverisë Kurti ishte edhe presioni i ndërkombëtarëve, posaçërisht amerikanëve. Pas kësaj, LDK formoi një qeveri të re me disa parti opozitare – AAK e NISMA – dhe ato të komuniteteve, pa zgjedhje të reja. VV kundërshtoi këtë veprim në Kushtetuese. Në dhjetor 2021, Gjykata vendosi që vota e një deputeti të dënuar me burg me kusht ishte e vlefshme për formimin e Qeverisë Hoti dhe çoi vendin në zgjedhje të parakohshme.

Albin Kurti duke folur gjatë seancës për mosbesimin ndaj qeverisë së tij.

2025 – Bllokada aktuale në Kuvend

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare (9 shkurt 2025), Kosova është futur sërish në krizë. Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet për shkak të mungesës së një shumice të qartë parlamentare të partisë së parë dhe refuzimit të saj për marrëveshje kompromisi. VV-ja është duke insistuar që Albulena Haxhiu të zgjidhet Kryetare e Kuvendit në 38 seanca, derisa opozita e ka bërë të qartë se nuk do ta përkrahin Ministren në detyrë të Drejtësisë. Zgjidhja nuk u gjet as pas aktgjykimit të Kushtetueses. Ky vendim po interpretohet sipas interesit të secilës parti. VV pretendon se Kushtetuesja u dha të drejtë edhe për votimin e fshehtë, nga ana tjetër opozita thotë se ky proces është anti-kushtetues. As takimi i së shtunës mes liderëve të partive politike parlamentare nuk prodhoi asnjë rezultat – të gjithë dolën me qëndrimet që kishin hyrë në takim.

Një nga seancat për konstituimin e Kuvendit gjatë vitit 2025.

LAJME

“QITNI SUBVENCIONET” Ministria e Bujqësisë ende nuk ua ka dhënë paratë mijëra fermerëve përfitues

REZERVAT SHTETËRORE “Rozeta Hajdari është dhe ndjehet fajtore”

LISTA PËR MARRE 10-shja e Albin Kurtit me dhjetëra skandale

FAKT YOU

LISTA PËR MARRE 10-shja e Albin Kurtit me dhjetëra skandale

Ekskluzive EKSKLUZIVE

REGJIMI Zyrtarja mes lotësh, drejtori ilegal i Çekut e detyroi të nënshkruajë kundërligjshëm emërimin e tij

HIPOKRIZIA KALON 1.2 miliardë euro mallra nga Serbia në qeverinë e atyre që rrëzonin kamionë e bllokonin kufij

DHOMA SPECIALE

SHTET N’VETI Për 9 vjet, rreth 406 milionë euro buxhet për Gjykatën Speciale

DËSHMIA AMERIKANE Hill thotë se ndjeu përgjegjësi morale të shkojë në Hagë në anën e Thaçit

BETEJA 2 Gjyqi i ri ndaj Thaçit në Speciale nis më 24 shkurt, do të zgjasë dy javë

INTERVISTA

INTERVISTË ME ALI AHMETIN – HAGA DHE ZGJEDHJET NË MAQEDONI

“NGA KUSH U PAGUA?” Xhavit Haliti kërkon dorëheqjen e Dimal Bashës

Intervistë me Avdullah Hotin: Albin Kurti do kaos