Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca sërish kanë protestuar para objektit të Qeverisë duke kërkuar nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve të tjera.

Të martën, aksionit iu bashkuan edhe asamblistë, drejtorë dhe aktivistë të PDK-së nga Vitia, Gjilani dhe Kamenica.

Valmir Sahiti, drejtor i Rinisë, Kulturës dhe Sportit në Viti nga radhët e PDK-së, deklaroi se janë mbledhur për të shprehur shqetësimin për bllokadën institucionale. Sipas tij, shteti është “në kolaps të thellë”.

“Jemi sot këtu bashkë me grupin parlamentar të PDK-së, grupin e Aleancës, kolegë këshilltarë komunalë, drejtorë nga Komuna Viti, Gjilan e Kamenicë, për të shprehur shqetësimin tonë të thellë për mungesën e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe bllokadën institucionale. Sot kur po flasim, shumica e institucioneve të Republikës së Kosovës janë me ushtrues detyre, shteti është në një kolaps të thellë, janë bllokuar shumë marrëveshje ndërkombëtare, komunat – të gjitha komunat në krejt Republikën e Kosovës – janë para bankrotit financiar e mbi të gjitha qytetarët e Republikës po përballen me një zhgënjim, me pasoja të thella institucionale, me një zhgënjim të thellë edhe krizë ekonomike”, tha Sahiti.

Kriza institucionale, sipas deputetit të PDK-së, Fadil Demaku, nuk mund të vazhdojë kështu. Ai thekson se as veprimi i së hënës, ku Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, propozuan Bekim Sejdiun si kandidat për President, nuk ka bërë që të ndryshojë qëndrimi i tyre për shkak se, siç theksoi ai, “jemi jashtë kushtetutshmërisë”.

“Prandaj ne edhe sot jemi këtu për t’i bërë thirrje, për t’i kërkuar që të kthehet në institucione, të kthehemi në kushtetutshmëri, sepse më tutje ne nuk mund të vazhdojmë kështu si shoqëri. Ne nuk do ta tolerojmë si shoqëri, e cila kemi kaluar nëpër procese të rënda, që Albin Kurti të luajë me institucionet e vendit edhe në vazhdim. As veprimi i djeshëm, asgjë nuk ka bërë që të ndryshojë qëndrimi ynë, sepse ne edhe sot jemi jashtë kushtetutshmërisë. Ai mund të vazhdojë edhe më tutje të bëjë lojëra të tilla, të shtyjë kohë, të gjejë arsyetime koti edhe qesharake, e ndoshta edhe ndonjë natë të na thotë se tash duhet me bindë edhe Avdullah Hotin se s’mundemi me thirrë seancën. Prandaj edhe një herë i bëjmë thirrje, sa nuk është vonë, që të kthehemi në kushtetutshmëri”, deklaroi Demaku.

Ndonëse mund të duket e bezdisshme kjo mënyrë e përditshme e protestës para Qeverisë, tha deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, por theksoi se qëllimin e kanë funksionalizimin e institucioneve.

“Faleminderit që po na përcillni sepse po e kuptoni edhe vetë që është e bezdisshme edhe për neve që çdo mëngjes të jemi këtu para zyrave të qeverisë, para hyrjes së qeverisë, për të kërkuar nga partia në pushtet, për të kërkuar nga deputeti Albin Kurti që t’i kthehet institucionit, t’i kthehet kushtetutës, ta respektojë kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Kadrijaj.

Ajo pohoi se nëse të hënën arritën marrëveshje për Presidentin, këtë të marte është dashur që të thirret seanca e Kuvendit dhe të ishte proceduar me formimin e institucioneve.

“Nëse ata dje kanë arritur një marrëveshje që s’e kanë bërë të gjerë për opinionin, përpos një deklarate të shkurtër, dikush prej liderëve duke qajtur, e dikush duke buzëqeshur, sot është dashur të thirret seanca, të konstituohet Kuvendi, të zgjidhen organet e Kuvendit, të zgjidhet Qeveria apo të zgjidhet edhe Presidenti i Kosovës. Ne po shohim që këtu nuk kemi transparencë, nuk ka llogaridhënie, mirëpo populli nuk harron. Albin Kurti, kthehu institucioneve, kthehu Kuvendit të Kosovës, konstituo Kuvendin, ose në rastet e tjera shpall zgjedhjet, në të cilat edhe ne pajtohemi”, shtoi.