“Kur milionerët sëmuhen ndonjëherë rrallë, se këta nuk sëmuhen sikur na, ata sëmuhen më rrallë se na, këta nuk shkojnë në spitalin publik të Prishtinës. Nuk shkojnë në spitalin publik të asnjë qyteti të Kosovës”, kishte thënë Albin Kurti.
Kur Hekuran Murati kishte aplikuar për të marrë para nga Fondi për Sigurime Shëndetësore për trajtimin e babait të tij në një spital privat në Maqedoni të Veriut, kërkesa iu ishte aprovuar menjëherë, edhe pse kundërligjshëm.
Por, kështu nuk ndodh me qytetarët e zakonshëm.
Ata po presin me vite të tëra që t’i marrin paratë nga Fondi për t’u trajtuar nëpër spitale private.
Kjo dëshmohet në raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Fondit për Sigurime Shëndetësore për vitin 2025.
Aty theksohet se ka pasur vonesa në ndërmarrjen e veprimeve lidhur me shqyrtimin e lëndëve nga Bordi për lëndët e kompletuara me faturë.
Sipas raportit, dy aplikime janë në pritje që nga viti 2021, një në vitin 2023, nëntë në vitin 2024, dhe tri në vitin 2025.
Vlera totale e këtyre kërkesave është 392 mijë e 381 euro.
Auditimi ka konstatuar edhe se gjatë testimeve të kryera lidhur me lëndët e aprovuara me vendime të Bordit, një numër i konsiderueshëm i tyre vazhdojnë të mbeten në pritje.
Në raport thuhet se që nga viti 2019 e deri më 2025-në janë 23 raste që kanë mbetur të hapura për periudha të konsiderueshme kohore pas aprovimit nga bordi.
Vlera e tyre 483 mijë e 651 euro.
Kjo situatë mund të ndikojë që institucionet shëndetësore jopublike të hezitojnë në ofrimin e shërbimeve në të ardhmen, kur mbështeten vetëm në fletëzotime.
Por, kur në këtë Fond kishte aplikuar Murati, Drejtori Amir Keka, e kishte lëshuar fletëzotimin më 13 maj, si formë zyrtare me të cilën fondi merr përsipër obligimet ndaj institucionit shëndetësor.
Dhe, pak më shumë se një muaj më pas pagesa për spitalin privat në Maqedoni të Veriut ishte realizuar më 18 qershor.
E gjithë kjo kishte qenë e kundërligjshme, pasi që nuk ishte zbatuar Udhëzimi Administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike.
Për këtë, VOX Kosova kishte raportuar më 1 shtator të vitit të kaluar.
Pra, qytetarët lihen të vuajnë e dergjen nëpër spitale, ndërsa pushtetarët i shfrytëzojnë privilegjet e pushtetit jashtë çdo kuadri ligjor.
Për më tepër, këtë po e bën një forcë politike që si opozitë e proklamonte publiken kundrejt asaj private,
“Na e patëm kundërshtu kur ish-Kryeministri atë kohë, Ramush Haradinaj, e pati dërguar nënën e tij për shërim jashtë shtetit. Dhe kjo u patë ngritë pak si dilemë, mirëpo nuk është diskutu shumë në shoqërinë tonë. Paramendoni një vend evropian dërgon prindin e tij ose vetën për shërim jashtë shtetit. E kemi edhe zotin Isa Mustafa që ka shku për shërim jashtë shtetit. Qysh guxon një Kryeministër me dërgu anëtarin e familjes jashtë shtetit përderisa nuk investon në shtetin e vetë”, pati thënë Fitore Pacolli.








