Arrestimi i tij dhe përballja me pretendimet e Prokurorisë solli shkarkimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, duke e lënë këtë ndërmarrje kaq të rëndësishme me ushtrues detyre.

Fatkeqësisht, “ushtrues detyre” do të përmendet shpesh këtu.

Kjo sepse shteti i Kosovës, respektivisht dhjetëra institucione të rëndësishme në vend, janë duke funksionuar me drejtues me kompetenca të shartuara.

Ja një rast që ka ndodhur për teke personale.
“Pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të Presidentes së Republikës, të Kryeparlamentarit të Kosovës dhe të Kryeministrit të Qeverisë” kishte deklaruar Kryeministri, Albin Kurti.

Kurti e ka fjalën për Blerim Isufajn, i propozuari i KPK-së për Kryeprokuror të Shtetit, institucion ky që ka mbetur me ushtrues detyre që nga viti 2022.

Qesharake apo jo, deri tash kjo është arsyeja e dhënë që vendi nuk ka zyrtarisht një Kryeprokuror.

Mandati i ka përfunduar edhe Avokatit të Popullit, drejtuesin e të cilit e zgjedh Kuvendi i Kosovës.

Tjetër, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Akademia e Kosovës për Siguri Publike funksionon me ushtrues detyre tash e sa kohë.

Gjendje e ngjashme paraqitet edhe në Ministrinë e Drejtësisë, ku disa institucione të rëndësishme vazhdojnë të udhëhiqen nga ushtrues detyre.

Në mesin e tyre janë Avokatura Shtetërore, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar dhe Instituti për Mjekësi Ligjore.

Në secilën ministri, shumica e agjencive janë me UD.

Përfshirë edhe Inspektoratin Qendror të Punës në kuadër të Ministrisë së Financave dhe Inspektoratin Sanitar në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo qasje e zgjatur e mbajtjes së institucioneve me ushtrues detyre nuk është më thjesht një çështje administrative, por një problem serioz i funksionimit demokratik të shtetit.

Por, a ka ndodhur rastësisht?
Jo.

Drejtuesit në detyrë, për shkak të natyrës së përkohshme të mandatit të tyre, janë dukshëm më të ekspozuar ndaj ndikimeve politike dhe më pak të pavarur në vendimmarrje.

Kjo krijon një terren të favorshëm për kontroll dhe manipulim nga pushteti, prandaj ata ushtrojnë detyrën, derisa mbi ta ushtron ndikim dikush tjetër.