Një raport i Odës Ekonomike të Kosovës i titulluar “Statistikat e Tregtisë së Jashtme të Kosovës – Marrëdhëniet tregtare sipas shteteve” ka nxjerrë në pah varësinë gjithnjë e në rritje të Kosovës në importe dhe një ekonomie që çdo herë e më shumë po e thellon deficitin e saj tregtar.

Sipas OEK-së, e cila citon të dhëna nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vetëm për vitin 2025, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 7 miliardë e 48.3 milionë euro, teksa për të njëjtën periudhë ka eksportuar vetëm 942 milionë e 100 mijë euro. Diferenca mes të dyjave, pra deficiti tregtar, është 6.1 miliardë euro.

Sipas këtyre të dhënave, Kosova në vitin 2025 ka importuar 7.5 herë më shumë mallra se sa ka eksportuar në vende të tjera.

Tabela në raportin e Odës Ekonomike të Kosovës tregon të dhënat që nga viti 2022 e tutje. Një krahasim i këtyre statistikave nëpër vite tregon se si importet e deficiti tregtar po rriten eksponencialisht.

Në vitin 2022 vlera e importeve në Kosovë arrinte shifrën e 5 miliardë e 639.4 milionë eurove, që i bie 1 miliard e 408.9 milionë me pak se shifra e këtij viti prej 7 miliardë e 48.3 milionë eurosh. Kjo shënon një rritje prej rreth 25% apo 24.98% për vetëm katër vjet.

Deficiti tregtar në vitin 2022 kishte vlerën e 4 miliardë e 641.6 milionë eurove. Dallimi në euro mes deficiti tregtar të para katër viteve dhe atij të vitit 2025 është 1 miliard e 464.7 milionë – shifër që përbën rritje prej rreth 32%.

Ditë më parë u publikua edhe raporti vjetor i Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2025.

Edhe në të theksohej se Kosova ka shënuar rritje të madhe të importit, përshkallëzim të inflacionit e thellim të deficitit tregtar.

“Importi i mallrave shënoi rritje reale për 10.4 për qind… (importi) arriti në 7.0 miliardë euro”, thuhet në raportin e fundit të BQK-së.

Në raport theksohej edhe se deficiti tregtar i mallrave ka shënuar rritje të madhe prej mbi 12%.

“Deficiti tregtar i mallrave shënoi rritje prej 12.5 për qind, duke arritur vlerën prej 6.1 miliardë euro”, potencon raporti.