Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur këtë të hënë(16 nëntor), ka vendosur që të ndalojë tregtimin e energjisë elektrike me ndërmarrjet që “kanë ndërmarrje amë, të drejtëpërdrejtë apo përfundimtare të regjistruar në Serbi”, “që janë degë ose njësi e ndërmarrjeve të regjistruara në Serbi”, apo që “kanë lidhje direkte me persona fizik ose juridik të regjistruar në Serbi”. Por, vendimi nuk e përfshin veriun e Kosovës, rrjedhimisht Elektroseverin, i cili, sipas Qeverisë, po blen rrymë nga Serbia edhe aktualisht.

Pika 7 e vendimit të mbledhjes së sotme të Qeverisë thotë:

Pika 7 e vendimit të mbledhjes së sotme të Qeverisë thotë:

“Përjashtimisht, ndalimi i përcaktuar me këtë Vendim nuk zbatohet për transaksionet dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë elektrike, që burojnë nga Marrëveshja e Brukselit për Energjinë e vitit 2013, Konkluzionet e Lehtësuesit të Bashkimit Evropian për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015, si dhe Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë, i datës 21 qershor 2022”.

Rrjedhimisht, kjo nënkupton që Elektrosever do të mund të marrë energji nga Serbia dhe atë t’ua shesë konsumatorëve në veri.

Arsyetimi i Qeverisë në këtë rast është se “Elektroseveri” është fryt i Marrëveshjeve të Brukselit, andaj në këtë rrethanë s’mund të ndërhyhet.

Por, gjatë gjithë kohës sa ishte në opozitë, Vetëvendosje kishte kundërshtuar marrëveshjen për energjinë, duke argumentuar se ajo legalizonte ndikimin e Serbisë në sistemin energjetik të Kosovës.

Ajo madje argumentonte se furnizimi në veri të vendit, nëse s’bëhet nga KEDS, duhet të bëhet nga Qeveria.