Publicisti Blerim Shala ka thënë se Shtëpia e Verdhë dhe trafikimi i organeve është programuar nga Serbia dhe Rusia dhe për ta bërë më alarmuese situatën për Perëndimin e rikthyen këtë temë përmes senatorit zviceran, Dick Marty.

“Gjithë këtë tematikë [trafikimin e organeve] e merr Dick Marty, një senator goxha i respektuar në Zvicër dhe në Perëndim pra, nuk ka qenë të them ashtu askushi dhe kredibiliteti i tij, i është dashur Serbisë dhe Rusisë që për me shti faktikisht të ritrajtohet, rishqyrtohet tema e trafikimit të organeve”, tha Shala në një intervistë për VOX Kosova.

Para se të publikohej Raporti i Marty-t për këtë cështje, Shala thekson se të njëjtën akuzë e kanë bërë Rusia e Serbia, por që janë përqafuar nga Perëndimi.

“Deri te Dick Marty, Rusia, Kosachevi edhe elementë tjerë janë trajtu, kërkesën e kanë pasë të njëjtë por janë trajtu më njëanshëm, pra nuk është përqafu aq shumë nga Perëndimi. Ndërsa te rasti i Dick Martyt, ka qenë krejtësisht ndryshe”, potencon ai.

Ai thekson se as vetë ata, as diplomatët amerikanë, as diplomatët evropianë “nuk kemi menduar që kjo mund të bëhet një problem i dorës së parë, sepse raporti i Dick Martyt, megjithatë, thirrej në masë të madhe në të ashtuquajturat pretendime për trafikim organesh, në Shtëpinë e Verdhë”.

“Aty kemi edhe një referim për Grupin e Drenicës si grup të krimit të organizuar, jo Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, por krim të organizuar, pra ka qenë një trajtim i qëllimshëm, i cili është bazuar në dokumentacionin e palës serbe”.

Shala nuk ka dyshime se Serbia edhe Rusia “e kanë programuar krejt këtë situatë”. “Ndërsa më vonë, kur ta lexoj librin e Bob Gates, Sekretarit të Mbrojtjes të Amerikës, do ta kuptoj që Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë vazhdimisht e ka akuzuar Amerikën për trafikim organesh”.

“Kjo ka qenë një farë mostre”, thekson ai, derisa bën një krahasim me Ukraninë, të cilën Rusia po e akuzon pikërisht për të njëjtën gjë. “Kjo ka qenë gjithmonë akuza supreme sovjetike, komuniste ndaj Perëndimit”.

“Ju jeni aq të paskrupullt, aq të pashpirt, që merreni me trafikim organesh. Kështu që kjo menjëherë ka rezonuar edhe në këtë storjen e Shtëpisë së Verdhë. Do të thotë në mënyrë që Perëndimi të alarmohet. Sepse perëndimi nuk alarmohet për krime të lloj-llojshme, por ky është krim i cili shkon përtej çdo krimi të mundshëm, trafikim organesh”.

Shala tregon se edhe raportet e mjekëve serbë kishin konstatuar se trafikimi i organeve nuk kishte pasur asnjë mundësi të bëhej në ato rrethana.

“Dhe ku është bë? Në një shtëpi të braktisur, në Shqipëri, në kushte absolutisht të paqëndrueshme, të cilat madje edhe mjekët, edhe kirurgët serbë, unë i pata lexuar ato raportet e tyre në mediat serbe, patën thënë se në ato kushte nuk ke si të bësh trafikim organesh, nuk ke si ta bësh operacionin dhe të mundësosh që dikush të përfitojë në Itali apo kudo qoftë”.