Me një pjesëmarrje masive nga të gjitha trojet shqiptare, nën tinguj të këngëve patriotike, me flamuj kombëtar e të UÇK-së, me thirrje “drejtësi për çlirimtarët” është mbajtur Marshi për Liri në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.
Në fjalën e tij, Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se askush nuk do të arrijë që ta njollosë tregimin e Kosovës për liri.
“Kurrë kurrkush nuk ka me mrri me ndotë tregimin tonë për liri. Tregimin e Kosovës për liri. Kanë provu edhe të vdekur me na i fy. Kanë provu me na ndotë tregimin e Kosovës për liri, heronjtë tanë. Por, kurrë, kurrë, kurrë, këqyre sa jeni sot këtu. Edhe ata që s’janë këtu që na përcjellin sot e dijnë që tregimi i popullit të Kosovës për liri është i pastër si loti, është i drejtë, është luftë për me mbijetu”, ka thënë Gjini.
Qytetarëve iu drejtua edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai u bëri thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Speciale në Hagë që para se të vendosin për ish-krerët e UÇK-së të mendojnë për pasojat që i sjell ky vendim, duke theksuar se “padrejtësinë nuk e pranojmë”.
“Atyre që marrin vendimin në Hagë sot nga ky shesh u themi mendoni për pasojat para se të vendosni më 16 shtator. Një vendim i drejtë e forcon drejtësinë, por një vendim i padrejtë e shkatërron atë. Vendimi i padrejtë mbi të gjitha është dënim për Kosovën dhe padrejtësinë nuk e pranojmë”, tha Hamza gjatë Marshit për Liri.
Këto, thekson ai, nuk janë fjalë zemërimi. “Janë fjalë të përgjegjësisë, sepse ne e dimë se çfarë do të thotë të jetosh padrejtësinë, e kemi provuar, e kemi përjetuar. Ne jemi popull që kemi pritur, kemi pritur djemtë tanë të kthehen nga lufta. Kemi pritur të gjenden të zhdukurit qe 27 vjet, kemi pritur lirinë, por liria nuk erdhi vetë. Kur rrugët e paqes u mbyllën, populli ynë u ngritë dhe kur u ngritë, nuk u ngritë për pushtet, u ngritë për ekzistencë, u ngritë për dinjitet, u ngritë për liri…”.
Hamza, ndër të tjera, theksoi se nuk kanë ardhur vetëm për të marshuar, për të dëshmuar se Kosova kujton, nderon dhe mbron UÇK-në. “Kemi ardhur për të thënë se Kosova po pret, po e pret drejtësinë, edhe tri ditë e pak orë”.
“Marshi për Liri”, u mbajtë katër ditë para 16 shtatorit, ditës kur Gjykata Speciale do të shpallë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i 2020-së.
Gjykata Speciale i akuzon ata për krime të pretenduara lufte. Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin nga të akuzuarit.
Nga ana tjetër, krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.









