Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thirrur protestë gjithëkombëtare për të premten nga ora 12:00, në sheshin “Skënderbeu”, pas dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale.

Lajmi u bë i ditur nga OVL-UÇK të enjten, në një konferencë për media nga selia e tyre.

Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, tha se UÇK-ja nuk është kurrë ndërmarrje kriminale dhe se asnjë vendim nuk mund ta njollos luftën çlirimtare të UÇK-së.

“UÇK-ja nuk është kurrë ndërmarrje kriminale, kjo ishte rezistenca në kuptimin tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje. Asnjë vendim nuk mund ta njollosë luftën tonë çlirimtare apo të barazojë ata që luftuan për liri. Që nga fillimi e kemi quajtur këtë gjykatë politike dhe procesin të pa-drejtë, gjë që sipas nesh u dëshmua edhe dje”, deklaroi Syla.

Në një vendim skandaloz, Gjykata Speciale ka dënuar të dielën e 16 shtatorit me rreth 1 shekull burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë dënuar me 81 vjet burgim gjithsej.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me 25 vjet burgim.

Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me 25 vjet burgim.

Specialja e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me 18 vjet burgim.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, me 13 vjet burgim.