Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se e merr “me shqetësim” njoftimin që të premten mund të votohet në Kuvend Ligji për Gjykatën Speciale.

Ligji për Specialen ishte miratuar nga Kuvendi më 6 tetor. Por, me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës, ai u kthye në Parlament për rishqyrtim nga Presidentja Justina Shiroka-Pula.

Nga BE-ja, që e kishin kundërshtuar edhe atëherë kur ishte votuar për herë të parë, thonë se ndryshimet në Ligj “ngrisin shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, në veçanti pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive”.

“Ndryshimet gjithashtu ngrisin shqetësime lidhur me kushtetutshmërinë e tyre”, thuhet në reagim.

Nga zyra e Unionit në Prishtinë, kanë theksuar se që nga kthimi i Ligjit për rishqyrtim në Kuvend, “jemi angazhuar aktivisht për t’ua përcjellë shqetësimet dhe pritshmëritë tona autoriteteve të Kosovës”.

“Kjo përfshin nevojën për konsultime paraprake përpara çdo miratimi të ligjit, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës”, thuhet aty.

Në seancë e së enjtes, Ligji për Specialen, me propozim të PDK-së, u fut si pikë fundit e rendit të ditës. Por, kjo seancë u shty për të premten nga Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pasi që deputetët u vonuan për më shumë se gjysmë ore për t’u kthyer në sallë pas pauzës.

Ushtruesja e Detyrës së Kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, tha se kanë arritur marrëveshje për ta votuar Ligjin me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, por tregoi se nuk janë pajtuar për procesin.

Kështu, ligji pritet që të premten të miratohet ashtu siç ka qenë, pra të rrëzohet vetoja e Presidentes dhe më pas të bëhet amendamentimi i tij.

Ky ligj ishte iniciuar nga PDK-ja, pasi që Specialja dënoi me 81 vjet burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burg. Jakup Krasniqi po ashtu me 25. Kadri Veseli me 18. Dhe Rexhep Selimi me 13.

Vendimi u kundërshtua nga qytetarët e Kosovës. Ata për 21 ditë me radhë protestuan kundër këtij aktgjykimi. Slogani i tyre ishte “Jo në Emrin Tim”.