Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u ka dërguar letër shteteve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke i njoftuar për gjetjet e raportit “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” dhe duke shprehur shqetësime serioze për respektimin e të drejtave themelore gjatë proceseve gjyqësore.

Letra, e përcjellë përmes kanaleve diplomatike, i është adresuar Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, si dhe institucioneve kyçe ndërkombëtare, përfshirë Ursula von der Leyen, Kaja Kallas dhe Roberta Metsola, si dhe zyrtarëve të Këshillit të Evropës.

Sipas Avokatit të Popullit, raporti i hartuar nga Bar Human Rights Committee of England and Wales identifikon mangësi serioze në garantimin e një gjykimi të drejtë, transparent dhe të paanshëm për të akuzuarit në Dhomat e Specializuara. Ai thekson se këto standarde janë të garantuara nga e drejta ndërkombëtare dhe janë të zbatueshme drejtpërdrejt në Kosovë përmes Kushtetutës.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë të ditur se ka monitoruar vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara, përfshirë edhe kushtet e paraburgimit, ndërsa angazhimi i një vlerësimi të pavarur nga BHRC ka ardhur si pasojë e shqetësimeve të vazhdueshme për respektimin e të drejtave themelore.

“Në këtë letër u nënvizua se e drejta për një gjykim të drejtë është e përcaktuar në nenin 14 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të dyja të zbatueshme drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës nëpërmjet Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Këto dispozita garantojnë, ndër të tjera, të drejtën e çdo individi për një seancë të drejtë dhe publike para një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme, të krijuar me ligj; prezumimin e pafajësisë; kohë dhe lehtësi të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes; barazinë e armëve ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes; si dhe transparencën në procedurat gjyqësore” thuhet ndër të tjera në komunikatën e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare që të adresojnë këto shqetësime, duke theksuar se kjo është e rëndësishme jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve, por edhe për integritetin e vetë gjykatës.