Shtatë persona janë arrestuar në Prishtinë, Lipjan dhe Vushtrri në një operacion për shpronësime të kundërligjshme, nën dyshimet për korrupsion dhe keqpërdorim detyre.
Një operacion i gjerë policor i zhvilluar të mërkurën në Prishtinë, Lipjan dhe Vushtrri ka rezultuar me arrestimin e shtatë personave, në kuadër të një hetimi për shpronësime të kundërligjshme.
Aksioni është realizuar në bashkëpunim ndërmjet Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, si pjesë e përpjekjeve për të luftuar korrupsionin dhe keqpërdorimet në proceset e shpronësimit.
Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit dyshohen për disa vepra penale që lidhen me korrupsionin. V.G dhe N.R po hetohen për “dhënie të ryshfetit”, ndërsa H.M., Sh.S. dhe një tjetër H.M. për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ndërkohë, N.K dyshohet për “marrje të ryshfetit”, kurse A.P për “ndihmë në kryerjen e veprës penale – dhënia dhe marrja e ryshfetit”.
Gjatë bastisjeve të kryera me urdhër të gjykatës, autoritetet kanë sekuestruar pajisje teknologjike, dokumentacion të ndryshëm si dhe para të gatshme në vlerë prej 6 mijë e 450 euro.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, me të njëjtin rast, në dhjetor të vitit të kaluar ishin arrestuar edhe shtatë persona të tjerë.









