Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se prania e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është “jetike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon”.
Kështu thanë nga Presidenca pas një takimi lamtumirës që Osmani pati të hënën me Komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR, kolonelin Jonathan Lloyd nga Garda Kombëtare e Louisianës, si dhe pasuesin e tij, kolonelin Sam Sargeant.
Në njoftim theksohet se gjatë takimit, Osmani e falënderoi kolonelin Lloyd për shërbimin dhe përkushtimin e tij gjatë mandatit në Kosovë, duke vlerësuar lart kontributin në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon. Në shenjë mirënjohjeje, ajo i ka ndarë atij një mirënjohje “për angazhimin e çmuar”.
Osmani i ka uruar mirëseardhje kolonelit Sargeant, të cilin e ka siguruar për “mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO”.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë, në emër të popullit të Kosovës, për vazhdimin e pranisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në vend si pjesë e misionit të KFOR-it, e cila është jetike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon”.
Në këtë drejtim, Osmani ka theksuar se vendi që ajo udhëheqë do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara “për mbështetjen e palëkundur në të gjitha etapat”.









