Ramush Haradinaj, ish-Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se sulmet që po i bëhen atij nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk kanë të bëjnë me emrin dhe mbiemrin e tij, por me faktin që Aleanca “nuk po i nënshtrohet regjimit” të Albin Kurtit.
Këto komente, Haradinaj i bëri përmes një video-adresimi në Facebook, pasi që eksponentë të VV-së tentuan që ta lidhin vrasësin e Arlinda Zekajt me familjen Haradinaj, dhe pas deklaratës skandaloze të deputetes së VV-së, Arjeta Fejza, e cila, pa ofruar asnjë provë, e akuzoi Haradinajn se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Ish-kryeministri theksoi se partia që ai dikur ka drejtuar e ka ngritur zërin për të gjitha padrejtësitë dhe keqpërdorimet që i ka bërë Qeveria Kurti, duke filluar nga energjia e tenderët njëburimor.
“Kryetari Ardian Gjini dhe Aleanca s’u bënë pjesë e lojërave me takime me Kurtin. Aleanca ka kërku interpelancë për situatën me energjinë. Për abuzimet me tregti me energji. E kemi ngrit zërin në vazhdimësi për tenderët njëburimor. E kemi ngrit zërin për ndërhyrjet në Prokurori, në Gjyqësor dhe në të gjitha institucionet e pavarura të vendit”, tha Haradinaj.
“Me të drejtë e ngritim zërin edhe për rastin e vrasjes së një nëne. Ne kemi bë kujdes për mos me e keqpërdor tragjedinë e askujt. Dhe i kemi ruajtur vlerat dhe dinjitetin e familjes shqiptare. Ta dini që sulmet që bëhen ndaj nesh nuk kanë të bëjnë me emrin dhe mbiemrin tim, por kanë të bëjnë me faktin se Aleanca nuk i nënshtrohet regjimit”, shtoi ai.
Haradinaj theksoi se VV-ja, duke e parë “që ne nuk nënshtrohemi, po përdorin sulme të ndryshme, shpifje të ndryshme ndaj nesh nga frika se qytetarët një ditë do të revoltohen, do të dalin në rrugë për të gjitha këto të padrejta që po i bëhen vendit”.
“Po, nëse qytetarët dalin në rrugë, ne i mbështesim. Po ne do të jemi me qytetarët. Do të jemi me popullin. Jo, asnjëherë nuk do t’i nënshtrohemi regjimit të Kurtit”, potencoi Haradinaj.









