Dimal Basha, i cili çuditërisht është Kryetar i Kuvendit, tanimë zyrtarisht është shpifës. Madje, në dy raste. Herën e parë e ka pranuar vetë, ndërsa të dytën e ka vendosur Gjykata.
Rasti i parë – artikulli kundër UÇK-së
Pasi që Basha u zgjodh në krye të Kuvendit, opinioni publik u njoftua me një artikull të tij të vitit 2012, ku ai figuronte si bashkautor me një autore maqedonase, Jana Arsovska, në të cilin kriminalizohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
Aty, ndër të tjera, thuhej se UÇK-ja kishte bashkëpunuar me baronë të drogës.
Basha nxitoi në përpjekjen e tij për t’u arsyetuar, duke thënë se nuk e ka lexuar artikullin dhe se nuk ka pasur dijeni për pjesën ku kriminalizohej UÇK-ja, por se gjoja kontributi i tij në këtë punim ishte i kufizuar vetëm në kapitullin e tretë, me titull “Globalizmi në Ballkanin Perëndimor: Krimi transnacional, islami fundamentalist dhe aleancat e padrejta”.
Ai thoshte se e çmon luftën e UÇK-së dhe se ajo është e shenjtë dhe se distancohet nga çdo pretendim ku kriminalizohet UÇK-ja, duke u distancuar nga artikulli ku ishte bashkautor, pra duke i konsideruar si shpifje pretendimet në atë punim ku ishte bashkautor.
“Kapitulli 3 ka qenë fusha ku unë kam studiu dhe kam qenë ekspert i çështjes. Prej meje më është kërku një kapitull për fushën që ti ki hulumutime. E kam dorëzu me bindjen që ka me u publiku kapitull i veçantë, po jo se do të del bashkautorësi. Unë s’kisha pranu me qenë bashkautor. Në asnjë moment nuk e kam ditë që do të publikohet bashkautorësi”, thoshte Basha më 1 shtator, ndonëse nga revista “Etudes Caribéennes” ku është publikuar artikulli, thanë në një përgjigje për VOX Kosova se autorët e autorët e dorëzojnë bashkë artikullin.
Pas reagimeve të ashpra që mori nga opinioni publik, ai njoftoi se ka kërkuar që të largohet emri i tij si bashkautor në këtë punim. Ndërsa, më 24 shtator, Basha njoftoi se është larguar emri nga punimi i përbashkët me autoren maqedonase.
Rasti i dytë – vendimi i Gjykatës në Ferizaj
Për herë të dytë si shpifës Basha u konfirmua këtë të marte. Kësaj radhe me vendim gjykate.
Ai, sipas aktgjykimit të nënshkruar më 22 korrik 2025 nga gjyqtarja Kreshnike Zymberi Beqiri, u dënua për shpifje nga Gjykata Themelore në Ferizaj, dhe është detyruar që t’ia paguajë 25 mijë euro paditësit.
Padinë e ka fituar Mustafë Grainca, në lidhje me shkrimet që Basha i kishte bërë në media dhe në llogarinë e tij në Facebook, ku e kishte quajtur Graincën si “mafi të betonit”, duke e akuzuar për keqpërdorime dhe parregullsi në biznesin e ndërtimin në Komunën e Ferizajt.
Gjykata në vendimin e saj e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar padinë e Graincës ndaj Bashës.
“Aprovohet pjesërisht si e bazuar kërkesëpadia e paditësit Mustafë Grainca, e ushtruar kundër të paditurit Dimal Basha, si e bazuar”, thuhet në pikën e parë të dispozitivit të aktgjykimit.
Në aktgjykim thuhet edhe se “detyrohet i padituri [Basha] që ta tërheqë shkrimin editorial të publikuar në portalin ‘Insajderi’ me datë 01.07. 2019, si dhe të tërheqë shkrimet e datave 22.07.2012, 10.09.2019, 10.01.2020, 22.01.2020 dhe 30.01.2020 të publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook”.
Po ashtu, Basha detyrohet që t’i kërkojë falje paditësit në portalin ku e ka publikuar editorialin dhe në llogarinë e tij në Facebook, brenda periudhës kohore prej tetë ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, nën kërcënimin e pasojave ligjore.
Kompensimin prej 25 mijë eurosh ndaj Graincës, Basha, sipas aktgjykimit, duhet ta paguajë brenda 15 ditësh, së bashku me kamatë ligjore prej 8 për qind që fillon nga data e paraqitjes së padisë më 22 korrik 2019. Po ashtu, kryeparlamentari detyrohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës në vlerë prej 2 mijë e 607 eurosh.
Gjykata po ashtu ka refuzuar kërkesën e Graincës për kompensim shtesë prej 40,000 eurosh për vuajtje shpirtërore, duke e konsideruar atë si të pabazuar.









