Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka thënë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për mënyrën se si u zhvillua konstituimi i Kuvendit dhe vendimet që mori më pas ky Kuvend, siç ishte zgjedhja e Qeverisë.

“Procedimet e sotme dhe konstatimet e tyre se Kuvendi është konstituuar dhe gjithçka që del nga ky Kuvend ne do ta dërgojmë për shqyrtim të ligjshmërisë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Tahiri në një konferencë për media të dielën.

Kosova, theksoi ai, “duhet të funksionojë sipas rendit kushtetues dhe jo sipas një rendi që tenton ta krijojë Kurti për interesat e tij politike”.

“Ekspertët e Partisë Demokratike të Kosovës tashmë janë duke punuar në përgatitjen e rastit i cili do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për procesin në tërësi”, shtoi ai.

Sipas Tahirit, Kryeministri Albin Kurti, “ka luajtur gjatë gjithë kësaj kohe me institucionet”.

“Ka shpërfillur rendin kushtetues dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. I ka shkelur afatet kushtetuese për interesa të ngushta politike dhe ka tentuar të luajë edhe me figurat politike të subjekteve opozitare”, theksoi ai.

Tahiri nuk ka dilema se Kurti, gjatë gjithë kësaj kohe, “ka bërë manovra politike për ta jetësuar skenarin e tij politik”.

Në seancën e së dielës, PDK nuk mori pjesë, pasi që në atë të së premtes, Vetëvendosja nuk ia votoi kandidaten e tyre për nënkryetare, Vlora Çitakun. Ata kërkuan të ndërrohet kandidatja.

Por, një ditë më pas, VV-ja tha se do t’ia votonte, mirëpo PDK refuzoi që të marrë pjesë dhe paralajmëruan dërgimin në Kushtetuese dhe tërheqjen e përkohshme të kandidaturës së Çitakut deri në një vendim të këtij institucioni.

Përkundër se PDK nuk mori pjesë në seancë, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, procesoi me votimin për nënkryetarë, ku u zgjodhën Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Tanja Vujoviç e Listës Serbe dhe Emilja Rexhepi e komuniteteve joshumicë joserbe.

Përkundër se nënkryetari nga radhët e PDK-së nuk u zgjodh, Haxhiu e shpalli të konstituuar Kuvendin.

Disa orë më pas, VV-ja thirri seancë për votimin e Qeverisë.

Opozita – PDK, LDK dhe Aleanca – e bojkotuan. Të pranishëm ishin deputetët e VV-së, Listës Serbe dhe ata të komuniteteve joshumicë joserbe.