Bashkimi Evropian ka hequr të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit 2023, duke liruar edhe ndihmën financiare të pezulluar.

Ky vendim vjen menjëherë pas fillimit të zbatimit të Ligjit për të Huajt, ku në një konferencë për media Kryeministri Albin Kurti konfirmoi se serbëve në Kosovë do u njihen dokumentet ilegale të lëshuara nga strukturat paralele, siç deklaroi përkohësisht.

Vendimi u konfirmua gjatë debatit në Parlamenti Evropian, nga përfaqësuesi i Komisioni Evropian, Jiri Plecity.

“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”. Deklaroi ai.

Heqja e masave vjen pra menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të njohur dokumentet e serbëve dhe për t’u ofruar atyre leje të përkohshme qëndrimi, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të Huajt.

Edhe hap u përshëndet nga Shërbimi i Jashtëm Evropian. Përfaqësuesja e këtij institucioni, Anne Kempainen, tha:

“Fundjavën e kaluar në Prishtinë, falë lehtësimit të BE-së, u gjet një rrugë përpara për zbatimin e Ligjit për të Huajt në Kosovë. Ne i mirëpresim hapat e ndërmarrë nga Kosova në lidhje me ruajtjen e sundimit të ligjit”.

Ndërkohë, në të njëjtin debat pati kritika për situatën e brendshme politike. Raportuesi për Kosovën, Riho Terras, theksoi:

“Është për të ardhur keq që pasiguria dhe ngërçi politik kanë ngadalësuar ndjeshëm reformat e nevojshme që Bashkimi Evropian pret nga aplikantët”.

Masat e BE-së ishin vendosur pas tensioneve në veri në vitin 2023, ndërsa zyrtarët evropianë ritheksuan se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve mbeten kyçe për rrugën evropiane të Kosovës.