Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, kishte një arsye të fortë kur në tetor të vitit të kaluar u ndau dekorata kryeministrit Albin Kurti e Presidentes Vjosa Osmani, e tash së fundmi edhe ministres Fitore Pacolli.
Bashkëshortja e udhëheqësit të institucionit kryesor arsimor në Kosovë, Albiana Arbeni, kishte gati një vit që ishte rehatuar në punë në një Agjenci në Zyrën e Kryeministrit.
Një hulumtim nga VOX Kosova, gjen se e njëjta është punësuar në shtator të vitit 2024 në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, në pozitën e zyrtares së lartë certifikuese.
Por, kjo s’ka penguar që gruaja e rektorit, pak kohë pasi u punësua fillimisht këtu, përmes një vendimi të veçantë, ajo u bë ushtruese e detyrës së Drejtoreshës së Departamentit të Dokumentimit.
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë është themeluar më 01 gusht të vitit 2023, si Agjenci që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
I pari i Qeverisë, mbi këtë institucion ka pushtet thuajse absolut.
Sipas Ligjit, ai emëron Drejtorin Ekzekutiv e ky i fundit i jep llogari në baza të rregullta Kryeministrit.
Për punësimin e gruas së tij, deri në momentin e publikimit të kësaj storieje, rektori Hajrullahu nuk i është përgjigjur interesimit të VOX Kosova.
E zyrtarisht, dekoratat u ndanë për kontribut.
Por kur ngjarjet rreshtohen në kohë, ato duken më shumë si një gjest mirënjohjeje.








