Njëra nga organizatat që ishte e përfshirë në organizimin për ekspozitën skandaloze për masakrat në Kosovë, figuron në listën e përfituesve të fondeve nga thirrja publike e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për projekt-propozimet në fushën e artit dhe kulturës.
Bëhet fjalë për organizatën “Integra”, e cila bashkë me organizatën Admovere ishin përgjegjëse për ekspozitën e vendosur në sheshin e Prishtinës, të titulluar “Masakrat në Kosovë 1998-1998”, për të cilën ishte konstatuar se ka pasaktësi, pasi që numri i të vrarëve në disa prej masakrave nuk ishte i saktë.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, e drejtuar nga Saranda Bogujevci, organizata “Integra” ka përfituar 8 mijë euro nga kjo thirrje publike.

Nga Integra, 2 mijë e 851 euro i kishte deklaruar si të ardhura Berita Abazi, këshilltarja e Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, në deklarimin e pasurisë për vitin 2024.

Ekspozita skandaloze për masakrat ishte realizuar duke u bazuar në librin e Shkelzen Gashit, ish-këshilltarit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, i botuar në vitin 2024.
Gashi është edhe drejtor ekzekutiv i organizatës tjetër që ka qenë përgjegjës për ekspozitën, Admovere.
Ekspozita për masakrat ishte financuar edhe nga Kuvendi i Kosovës, i udhëhequr nga Albulena Haxhiu.
Pas konstatimit të pasaktësive në ekspozitë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kishte tërhequr lejen për vendosjen e saj dhe kishte urdhëruar largimin nga sheshi i kryeqytetit.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte intervistuar Shkëlzen Gashin nën dyshimin për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.









