Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesën në seancën që do të mbahet këtë të hënë në ora 17:00, e ku do të “diskutohet për çështjen e zgjedhjes së Presidentit”. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, para mediave ka thënë se thirrja e seancës është “show propagandues i Vetëvendosjes”.
Në Kuvendin e Kosovës është thirrur seancë e jashtëzakonshme për diskutim për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.
Të shtunën, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga opozita që të propozojë tre kandidatë për President. Lidhja Demokratike e Kosovës shprehu gatishmëri që emri i saj të jetë ai i ish-Kryetares së shtetit, Vjosa Osmani.
I pyetur nëse e përkrah këtë propozim, Kryeministri Albin Kurti nuk dha përgjigje të hënën, ndërsa heshtje pati edhe nga vetë Osmani.
Ndryshe nga LDK, Partia Demokratike e Kosovës e refuzoi ofertën e VV-së për propozimin e kandidatëve, duke e cilësuar atë si një manovër politike të Kurtit dhe duke theksuar se për ta kjo çështje është tashmë e mbyllur.









