Fituesit e zgjedhjeve në Serbi dhe pushteti në ardhje atje, në programin që kanë publikuar të mërkurën, kanë thënë se synojnë “vetëqeverisje” për serbët në Kosovë e “autonomi sa më të madhe” për komunat me shumicë serbe në Kosovë.

“Përpjekje të veçanta do të bëjmë për avancimin e pozitës së serbëve në Kosovë , si në veri, ashtu edhe në jug të Ibrit, si në gjashtë komunat me shumicë serbe, ashtu edhe në vendbanimet jashtë këtyre komunave ku jeton një numër i konsiderueshëm i popullsisë serbe”, thuhet në programin e tyre.

“Do të synojmë që këto vendbanime të lidhen administrativisht dhe të përfshihen në njësitë e vetëqeverisjes lokale me shumicë serbe, si dhe që këto njësi të fitojnë autonomi sa më të madhe në raport me institucionet e Kosovës”.

Pushteti i ri në Serbi, nuk dallon fare me atë të kaluarin sa i përket Kosovës. Në program, kanë thënë se e konsiderojnë “pjesë të Serbisë”.

“Do të luftojmë për ruajtjen e Kosovës në përbërje të Serbisë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 1244”, propagandohet në programin e tyre.

Lista Studentore ka thënë se do ta “kundërshtojnë vazhdimisht” pavarësinë e Kosovës dhe “nuk do të lejojmë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”.

Nga kjo listë kanë paralajmëruar edhe rishikimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme me Kosovën.

“Do t’i ndjekim penalisht të gjithë përfaqësuesit përgjegjës të regjimit për të gjitha veprat e mundshme penale që lidhen me lidhjen dhe zbatimin e marrëveshjeve jokushtetuese në dëm të Serbisë. Të gjitha marrëveshjet duhet t’i nënshtrohen vlerësimit të kushtetutshmërisë dhe është e papranueshme zbatimi i çfarëdo dispozite jokushtetuese të cilësdo marrëveshje të nënshkruar”.

Përpjekje të veçanta, kanë thënë se “do të bëjmë për krijimin e kushteve për mbijetesën e pakicës kombëtare gorane, si dhe për rithemelimin e një njësie të vetëqeverisjes lokale në zonat ku pjesëtarët e kombësisë gorane përbëjnë shumicën”.

Lista Studentore fitoi zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi, duke e mposhtur Aleksandër Vuçiç-in dhe duke rrëzuar atë nga pushteti pas 14 vitesh.