Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës ka njoftuar se Ambasada e saj në Berlin është veshur me etiketa fyese që përmbanin thirrje shoviniste në gjuhën serbe.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se sot, në ambientet e jashtme të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, janë vendosur etiketa fyese dhe me përmbajtje shoviniste në gjuhën serbe mbi pllakatin identifikues të objektit” ka njoftuar Ministria e Jashtme.

Ministria tregon se thirrjet ishin nga më të ndryshmet prej atyre nacionaliste serbe si: “Nuk ka dorëzim” e “Kosova është Serbi”.

Ministria ka thënë se ka njoftuar organet e rendit në Gjermani dhe se po presin veprimet e autoriteteve atje në adresimin e kësaj çështjeje.

“Menjëherë pas identifikimit të këtij akti, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin ka njoftuar autoritetet kompetente gjermane. Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve” thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD në fund ka thënë se dënon fuqishëm çdo akt të dhunës apo gjuhës së urrejtjes dhe se veprime të tilla bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare.