Me shumë kujdes për kamerën po, por krejtësisht i pakujdesshëm në vozitje, Lumir Abdixhiku e ka vozitur LDK-në drejt aksidenteve me fatalitet prejse është kryetar partie.

Përveç rezultateve të dobëta elektorale, ai ka ideuar e nxitur përplasje të brendshme që, në vend të bashkimit të proklamuar, kanë sjellë përçarje të thella, më të mëdhatë ndonjëherë që nga viti 2006.

E drejtoi LDK-në si të ishte i kontraktuar, duke e vënë krejtësisht në shërbim për interesat e Vjosa Osmanit, që dikur e përdori si trampolinë për pushtet krah Kurtit, e më pas si strehë për mbijetesë.

Kundërshtarit kryesor, atij që nuk ka lënë gjë pa thënë e bërë kundër LDK-së, Albin Kurtit, ia dha kohë pas kohe timonin dhe po ia hap derën që të godasë, në mënyrë që shkatërrimin e partisë ta bëjë edhe më të madh.

Për interesa të Kurtit për kapjen totale të pushtetit dhe për ambicien e tij që të jetë i përkëdhelur nga kreu i Vetëvendosjes, Abdixhiku ka larguar e po intimidon publikisht rreshtin e parë të partisë, ata që kanë përballuar linçimet e fyerjet më monstruoze nga pushteti tash e 6 vjet.

Njerëz që nuk e kanë braktisur LDK-në as në ditët më të vështira, siç bëri dikur vetë Abdixhiku dhe Vjosa Osmani.

Si të ishte një nëpunës i Kurtit, që i zbaton në përpikëri urdhrat, Abdixhiku po i lufton degët kryesore të partisë: Prishtinën, Pejën dhe Lipjanin, shtylla që e kanë mbajtur LDK-në në këmbë dhe që kanë vetëm histori fitoresh.

Abdixhiku edhe mund të vazhdojë ta mbajë timonin e partisë. Por makinën e ka vënë tërësisht në shërbim të kundërshtarit, Albin Kurtit. Atij që ka qëllim ta përdorë LDK-në për pjesë, për kolltukun e vet, e në fund ta djegë.

Kështu, Abdixhiku në fund do të mbetet pa pasagjerët që ia besuan timonin, dhe makina nuk do të ketë më fuqinë as të lëvizë.