Ndaj Ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetëve të Vetëvendosje: Fitore Pacolli dhe Salih Zybës, do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim në Gjykatë, ka thënë gjyqtari Sabit Sadikaj.

Kjo pasi që Sveçla, Zyba dhe Pacolli nuk u paraqitën në seancën gjyqësore të martën, ku po akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, në mars të vitit 2018.

Për shkak të mungesës së tyre, kjo seancë ka dështuar të mbahet, edhe pse të njëjtit nuk kishin pasur ndonjë kërkesë për shtyrje të seancës.

Prandaj, gjyqtari ka thënë se do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarve.

Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku.

Në seancën e parë të mbajtur më 26 mars të vitit 2024, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës.