Më 18 shtator të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetëve të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, të cilët akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018.
Lajmin e ka konfirmuar zyra për media e Gjykatës Themelore të Prishtinës përmes një përgjigje me shkrim për VOX Kosova këtë të enjte.
“Gjyqtari i kësaj çështje penale Sabit Sadikaj, bazuar në një gjendje të tillë të fakteve, jashtë seancës me datë 18.09.2025 ka lëshuar Urdhëresë për sjellje me detyrim kundër të pandehurve F.P.D, S.Z., dhe XH.S., dhe ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të ndërmarr veprimet e duhura, në mënyrë që të mund të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale nga gjykata dhe të vendoset lidhur me këtë çështje penalo-juridike”, thuhet në përgjigje.
Më 6 qershor, Gjykata ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Vendimin e themelores e vërtetoi më pas ajo e Apelit.