Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup ka nisur tashmë, me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Studentët janë mbledhur me pankarta në duar, ku në njërën prej tyre shkruhet: “Kjo gjuhë ka dëshmorë pas vetes”. Përveç pankartave me mbishkrime të ndryshme, ata po mbajnë edhe flamurin kombëtar shqiptar.

Gjatë protestës, studentët kanë kënduar edhe këngën “Besa besë, besën e kem dhanë…”, ndërsa kanë kërkuar trajtim të barabartë për gjuhën shqipe në procesin e dhënies së provimit të jurisprudencës.

Protesta po vazhdon në Shkup, ndërsa studentët kanë bërë të ditur se nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre për mundësimin e provimit në gjuhën shqipe.