Tre persona janë shoqëruar në Polici pas të shtënave me armë në Komoran të Drenasit, ndërsa bazuar në të dhënat e deritanishme incidenti nuk lidhet me procesin e zgjedhjeve.

“Nuk raportohet për persona të lënduar. Me të marrë informatën policia, ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka konstatuar se ka pasur të shtëna me armë dhe  raportohet vetëm për dëmtim prone (dëmtim i veturës”, tha zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, para mediave në vendin e ngjarjes, potencoi se incidenti në fjalë nuk ka të bëjë në asnjë mënyrë me procesin zgjedhor, por ka të bëjë me tre të dyshuar të cilët kanë precedent penal.

“Arsyet e konfliktit nuk dihen në detaje, mirëpo sipas informatave të para që i kemi kjo lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme para tri jave, të njëjtit janë të dyshuar për grabitje dhe vepra penale ordinere dhe nuk lidhen me procesin zgjedhor”, theksoi Gashi.