Shefi i Shtabit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, Gjeneral Brigade, Chad Daniels, ka thënë se KFOR po përshtat kapacitete e veta, edhe për të reaguar kur është e nevojshme.

Këto komente, Gjenerali Chad i ka bërë pas vizitës që pasur të shtunën te personeli i KFOR-it që vepron në Mitrovicë. Ai ka qëndruar edhe te ura mbi lumin Ibër.

“Ajo që kam parë nga pjesëtarët tanë tregon se si KFOR-i po përshtat pozicionimin e tij, duke ruajtur njëkohësisht kapacitetet që kanë më së shumti rëndësi: një prani të dukshme, ndërgjegjësim të fortë për situatën, angazhim me të gjitha komunitetet lokale dhe forca të gatshme për të reaguar kur është e nevojshme, në përputhje me mandatin tonë të kahershëm të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Gjenerali Daniels.

KFOR ka theksuar se vazhdojnë që ta optimizojnë pozicionin e tyre, se procesi mbetet gradual, i bazuar në kushte dhe i udhëhequr nga vlerësimet e vazhdueshme të situatës në terren.

KFOR njoftoi më 10 gusht se ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urën mbi lumin Ibër. Kjo, sipas KFOR-it, po bëhet pas përmirësimit të situatës së sigurisë.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, ura mbi lumin Ibër është ruajtur vazhdimisht nga KFOR-i.

Ajo ka qenë e hapur vetëm për këmbësorë, por jo edhe për makina.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti kishte paralajmëruar hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve në verën e vitit 2024, por që nuk kishte ndodhur.

Madje, kjo nismë ishte kundërshtuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare në atë kohë.