Kur të mërkurën Kuvendi i Kosovës votoi për kryetare Albulena Haxhiun, u duk se çështja e nënkryetarëve do të kalojë lehtë.

Por, një shprehje e deputetit serb Igor Simiq, kur prezantoi “në emër të popullit serb” kandidatin e tyre për nënkryetar, e ndërpreu seancën.

Haxhiu i kërkoi ta tërheqë fjalën, e Vetëvendosje e bëri fushatë për diçka që vetë lideri i saj, e vetë Haxhiu e Glauk Konjufca e kishin thënë disa herë në Kuvend e studio televizive.

Kuvendi do të tentojë sërish sot ta kalojë këtë stazë, por duket se bllokada është për më shumë se një fjalë e deputetit serb.

Vetëvendosja ka shprehur kundërshtimin për nënkryetarët e PDK-së dhe LDK-së – Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala.

Shumë prej deputetëve të partisë, në të cilën zakonisht votohet uniform siç kërkon kryetari, e kanë shprehur qëndrimin se nuk kanë votë për Çitakun e Shalën.

Seanca konstituive e filluar më 6 gusht deri më tani është ndërprerë tri herë. Sot do të jetë hera e katërt që deputetët do të mblidhen për konstituimin e legjislaturës së 11-të.

Nga PDK, LDK dhe AAK kanë thënë se bllokuesi me qëllim është Albin Kurti, që po e përdor diskutimin për presidentin dhe më pas edhe këto veprime në Kuvend në mënyrë që ta çojë vendin në zgjedhje më 27 dhjetor.

Se kjo datë po i pëlqen Vetëvendosjes e kanë thënë në studio televizive edhe deputetë të kësaj partie.

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se pjesëmarrja e saj në seanca po bëhet për shkak të mosbllokimit të institucioneve për shkak të 16 shtatorit, vendimit për krerët e UÇK-së.

Por, ka paralajmëruar se pas kësaj date do të ketë përballje politike e juridike për vonesat në konstituim, që sipas tyre shkelin afatet kushtetuese.