Partia Demokratike e Kosovës do ta dërgojë në Kushtetuese rastin e moskonstituimit të Kuvendit.
Madje, kjo parti ka deklaruar se nuk ka më arsye të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.
“Do ta dërgojmë rastin në Gjykatën Kushtetuese, brenda afateve ligjore”, deklaroi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pasi partia e tij lëshoi sallën, meqë Lëvizja Vetëvendosje nuk i dha votat Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit.
“PDK-ja ishte e pranishme në Kuvend me qëllim që Kuvendi të konstituohet, që vendi të ketë institucione. Mirëpo, partia shumicë, Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk e ka ndërmend t’i japë vendit institucione. Vazhdon me veprimet e saj të papërgjegjshme, joinstitucionale, joshtetërore, jo në dobi të qytetarëve të Kosovës, të prodhojë drama, kriza, të shpikë situata të panjohura, me qëllim që të vazhdojë me bllokada. Prej sot, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka asnjë arsye të marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës dhe ne do ta referojmë, do ta dërgojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Jemi të sigurt që afatet kanë përfunduar më 7 gusht”, tha Hamza.
Ai deklaroi se Vetëvendosje edhe sot nuk e respektoi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e votimit.
“Aty thuhet se duhet të ketë konsensus. Nuk ka konsensus. Me qëllim të konstituimit të Kuvendit, e votuam të propozuarin e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa ata nuk e votuan të propozuarën e PDK-së dhe, në këtë mënyrë, e pamundësuan konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve”.
“Me këtë, vendi është futur në një situatë të panjohur deri më tani, me shumë të panjohura. Kush po dëmtohet? Interesi i vendit. Këtyre s’po u bëhet vonë që inflacioni ka mbërritur në 7.3 për qind, nuk po u bëjnë përshtypje rezultatet e PISA-s, ikjet e njerëzve nga vendi, mosrespektimi i Kushtetutës”.
Kur në votim u hodh kandidatura e Ardian Golës nga VV-ja, ai mori 101 vota, duke u votuar edhe nga PDK-ja dhe LDK-ja.
Por, kur në votim u hodh kandidatura e Vlora Çitakut, ajo nuk i mori votat e mjaftueshme, pasi deputetët e Vetëvendosjes nuk votuan pro saj, ndërsa 56 prej tyre abstenuan. Gjithsej, 44 vota ishin pro.
Pas kësaj, PDK-ja e lëshoi sallën.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kërkoi nga PDK-ja që të paraqiste propozimin e radhës, por PDK-ja nuk u kthye më në sallë.
Seanca u ndërpre për të vazhduar të dielën.









