Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në një bisedë për VOX Kosova e ka arsyetuar kryetarin e partisë së tij, Albin Kurtin, i cili gjatë vitit 2019 i bënte thirrje ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, që të shkonte në Hagë dhe i thoshte se “burgu nuk është tragjedi”.

“Të gjitha ato që kanë ndodhur në skenën politike prej vitit 2010, dikujt edhe më herët, mes LDK-së, PDK-së apo mes Vetëvendosjes dhe PDK-së, kanë qenë në kuadër të betejave politike në Parlament. Grindjet tona, përplasjet tona, unë nuk mendoj që kanë qenë për luftën, për UÇK-në apo për vullnetin e popullit tonë për liri. Këto janë të tjera që po i përmendni ju. Këto janë në kuadër të betejave tona, të cilat kurrë nuk do të mund të na përçajnë për atë që e kemi kaluar bashkë”, tha Konjufca.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka theksuar se ato personalitete që i kemi në Hagë kanë qenë në krye të luftës, e cila ka qenë një luftë e drejtë.

“Prapë do të shkoj në Hagë. Po pra, do të jem aty në ditën përfundimtare. Kam aplikuar për të qenë atje dhe do ta përfaqësoj shtetin e Kosovës në atë proces. Unë pres që ky proces, këto akuza, të dështojnë. Janë të paqëndrueshme. Janë shpifje. Janë gënjeshtra të cilat e ofendojnë në palcë luftën tonë çlirimtare”, potencoi Konjufca.