Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se janë shkëputur kontratat e punës edhe për 9 zyrtarë nga institucionet vartëse të ministrisë.

Sipas saj, bëhet fjalë për 7 zyrtarë të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) dhe 2 zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), nga komuniteti serb, të cilët, sipas njoftimit, njihen edhe si pjesëtarë të ish-“Mbrojtjes Civile”.

Pacolli ka bërë të ditur se vendimet janë marrë për shkak të mungesës së vazhdueshme në vendin e punës dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Me këto vendime, numri i përgjithshëm i kontratave të punës të shkëputura në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe institucioneve vartëse ka arritur në 29.

“Më herët janë shkëputur kontratat për 20 zyrtarë të ministrisë, ndërsa tash edhe për 9 zyrtarë të AMMK-së dhe AKK-së”, ka shkruar Pacolli.

Ajo ka theksuar se askush nuk mund ta mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës.

“Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse zyrtari publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare”, ka deklaruar ministrja Pacolli.