Po zhvillohet një takim mes Kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje rreth zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, një proces që po afrohet drejt afatit kushtetues.
Javën e kaluar, Kurti dhe Abdixhiku kishin zhvilluar një takim lidhur me këtë çështje, por pa arritur ndonjë marrëveshje konkrete. Kryeministri është takuar gjithashtu me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, por deri më tani nuk ka pasur dakordim për emrin e presidentit.
Kurti ka përmendur publikisht emrin e Murat Jasharit si kandidat mbi-partiak, megjithatë ai e ka refuzuar kandidaturën. Së fundmi, kryeministri ka kërkuar që secila parti të propozojë kandidatin e vet.
“Po i vazhdojmë përpjekjet për të përmbyllur me sukses edhe sfidën e zgjedhjes së presidentit. Na duhet kandidati apo kandidatja që siguron 80 vota në sallë. Pas takimit me kryetarin e PDK-së, po takohemi edhe me kryetarin e LDK-së. Gjithçka brenda fare pak ditësh do të merret vesh,” – tha Kurti.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 4 mars. Nëse procesi nuk përmbyllet me sukses, Kosova do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditëve.









