Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar një sërë parregullsish në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2025, duke dhënë opinion të kualifikuar dhe 12 rekomandime për përmirësimin e kontrolleve financiare dhe administrative.
Sipas raportit të auditorit, MPB-ja ka pranuar një automjet të specializuar në vlerë prej 89,900 eurosh që nuk i përmbushte specifikimet teknike të tenderit. Raporti thekson se automjeti ishte i prodhuar në vitin 2023, ndonëse tenderi kërkonte prodhim të vitit 2024, ndërsa kishte edhe mospërputhje në dimensione dhe kapacitetin e motorit.
Auditori ka evidentuar gjithashtu pagesa të parregullta për zyrtarë policorë të suspenduar. Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë paguar 26,580 euro shtesa për kushte specifike të punës për policë të suspenduar, përfshirë 19 zyrtarë që vazhduan t’i merrnin këto shtesa edhe pasi ishte vendosur ndërprerja e tyre.
Raporti zbulon se MPB-ja ka paguar gjithashtu 119,999 euro paga për 15 punonjës të komunitetit serb që nuk kishin evidencë të vijueshmërisë në punë. Auditori vlerëson se këto pagesa përbëjnë shpenzime të parregullta dhe kanë shkaktuar dëm financiar për buxhetin e shtetit.
Një tjetër gjetje lidhet me 58 policë të suspenduar që vazhduan të merrnin 50 për qind të pagës bazë edhe pas skadimit të afatit ligjor prej gjashtë muajsh. Sipas auditorit, disa prej tyre vazhdojnë të kompensohen që nga viti 2022.
Në fushën e menaxhimit të personelit, raporti konstaton se 391 zyrtarë policorë ushtrojnë pozita që kërkojnë gradë më të lartë sesa ajo që posedojnë aktualisht, situatë që sipas auditorit është përkeqësuar krahasuar me vitin paraprak.
Probleme serioze janë evidentuar edhe në raportimin financiar. Sipas ZKA-së, MPB-ja ka klasifikuar gabimisht 12.56 milionë euro pagesa të realizuara përmes vendimeve gjyqësore, prej të cilave mbi 10 milionë euro janë regjistruar si investime kapitale, megjithëse kishin të bënin kryesisht me paga, shtesa dhe obligime të tjera të personelit.
Po ashtu, auditori ka konstatuar se ministria ka mbivlerësuar detyrimet kontingjente për 2.73 milionë euro për shkak të regjistrimeve të pasakta dhe mos-përditësimit të rasteve në sistem.
Sipas raportit, këto mangësi ndikojnë në saktësinë e pasqyrave financiare, cenojnë besueshmërinë e raportimit dhe rrisin rrezikun e keqmenaxhimit të fondeve publike. ZKA ka kërkuar nga MPB-ja ndërmarrjen e masave konkrete për adresimin e të gjitha gjetjeve të evidentuara.









