Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut nuk do ta ftojë Kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova për raportim në Kuvend. Kjo pasi që deputetët anëtarë të këtij Komisioni janë tërhequr nga votimi për këtë kërkesë, shkaku i rrethanave aktuale politike në Kosovë.

“Ne tërhiqemi nga kërkesa për raportim dhe në vend të saj e zëvendësojmë me atë që u diskutua më herët, nëse kemi mandat si deputetë, nëse nuk kemi, u takon deputetëve që vinë”,  tha deputeti që mori iniciativën për këtë kërkesë, Artan Behrami. Sipas këtij të fundit, deputetët duhet të hartojnë raport për shkeljet e Gjykatës Speciale kundrejt të akuzuarve, dhe të njëjtat t’ia paraqesin Avokatit të Popullit.

E pranishme në mbledhje të këtij Komisioni ishte edhe deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Mehmeti Selimi, e cila njëherit është edhe bashkëshortja e ish-Komandantit të UÇK-së, Rexhep Selimi, i cili po gjykohet në Dhomat e Specializuara. Mehmeti Selimi u shpreh skeptike për kërkesën që mund t’i bëhet Trendafiloves.

“…si komision nuk e besoj që do ta kishim, përveç përgjegjësisë, po as domenin që ne ta ftojmë kryetaren e një Gjykate. Nuk i ftojmë kryetarët e gjykatave tona vendore, e lëre më një gjykatë tjetër që i kemi dhënë të drejtën që të funksionojë me çfarëdo rregulla që atyre ju konvenojnë. Pra ne edhe mund t’i bëjmë ftesë, nuk na ndalon askush, mirëpo përgjigjja që mund ta kemi, mundet me qenë më e dëmshme sesa kërkesa që ne mund t’ia bëjmë”, shtoi.

Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Trupi Gjykues është tërhequr për verdiktin final, i cili pritet të merret në fund të muajit maj.