Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka numëruar shkeljet që janë bërë me votimin e projektbuxhetit për vitin 2026 nga qeveria në detyrë dhe procedimin e tij në kuvend.

Duke sqaruar se qeveria në detyrë mund ta përgatit projektbuxhetin, por nuk mund ta dërgoj kuvend, Hoti ka bërë me dije se më dërgimin e këtij projektbuxheti te deputetët pjesë e shkeljes ligjore është bërë edhe kryetari i kuvendit, Dimal Basha.

“Kryetari i Kuvendit është bërë pjesë e shkeljeve ligjore duke e shpërndarë atë (projektbuxhetin) tek deputetët. Ky veprim përbën tejkalim të autorizimeve ligjore që ka Qeveria në detyrë. Në të kaluarën, ka pasur raste kur Qeveria në detyrë e ka përgatitur projektbuxhetin, por dorëzimi në Kuvend është bërë vetëm nga Qeveria e zgjedhur nga Kuvendi”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.

“Shkelja tjetër ligjore është se Projektligji i prezantuar në mbledhje të Qeverisë është bërë nga një deputet dhe u dorëzua në Kuvend nga një deputet tjetër, të cilët sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme janë duke i mbajtur kundërligjshëm pozitat e ministrit dhe kryeministrit”, ka shtuar Hoti.

Ish-kryeministri ka kritikuar edhe të parën e shtetit, presidenten Vjosa Osmani.

“Sigurisht se nuk pres reagimin e të parës së shtetit për të ndaluar funksionimin qartësisht jo kushtetues të Qeverisë në detyrë. Ajo ka qenë në vazhdimësi në linjë me shkelësit e kushtetutës dhe ligjeve. As ajo dhe as Kurti nuk e kanë hallin e qytetarëve. Halli i tyre është si të ruajnë pushtetin, të cilin fatkeqësisht po e mbajnë duke prodhuar kriza në shkelje të ligjit e kushtetutës. Këta janë politikanë që mbijetojnë në politikë vetëm përmes krizave. Nuk dinë dhe nuk mund të mbijetojnë politikisht në situata të normalitetit politik, pasi situatat normale politike nuk i pranojnë mashtruesit”.