Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar 12 ligje të cilat ishin propozuar nga Qeveria Kurti dhe miratuar nga Kuvendi në seancën e 5 dhjetorit. Ankesa në Kushtetuese për këto ligje ishte bërë nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Në aktgjykim, Kushtetuesja ka vendosur se 12 nga 15 ligjet e konstatuara nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, specifikisht me nenet 4, 7, 74, 76 dhe 77.
Ligjet që u shpallën antikushtetuese janë:
- Ligji për Shërbimet e Pagesave;
- Ligji kundër dukurive negative në sport;
- Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit;
- Ligji për provimin e maturës shtetërore;
- Ligji për Banim Social dhe të Përballueshëm;
- Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim;
- Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
- Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale;
- Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore;
- Ligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore;
- Ligji për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore;
- Ligji për Lojërat Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”.
Nga ana tjetër, Kushtetuesja ka vendosur se tri vendimet e Kuvendit – Ligji për Bankat, Ligji për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe Ligji për Gjykatën Administrative – janë në përputhje me Kushtetutën.
Për ligjet e rrëzuara, Kushtetuesja ka thënë se proceduat e ndjekura nga Kuvendi nuk kanë qenë në përputhje me dispozitat kushtetuese që rregullojnë mandatin e deputetit, rregulloren e punës së kuvendit dhe rolin e komisioneve parlamentare.