Rinia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, përmes të cilit ka kundërshtuar, siç kanë thënë, shkeljen e Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit.
Gjatë aksionit, ata kanë vendosur para Kuvendit tri figura, të cilat i kanë cilësuar si “shkelësit kryesorë të Kushtetutës” – kryesuesin e Kuvendit, Avni Dehari, deputetin Haxhiu dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Sot, si Rini Demokratike e Kosovës, jemi para Kuvendit për të kundërshtuar shkeljen e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit”, ka deklaruar Arbnora Salihu nga PDK.
Ajo ka thënë se rregullat dhe afatet për konstituimin e Kuvendit janë të qarta.
“Rregullat janë të qarta dhe afatet janë të ditura. Kushtetuta i përcakton 30 ditë nga dita e certifikimit për konstituimin e Kuvendit”, ka deklaruar Salihu.
Rinia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që seanca konstituive të vazhdojë dhe që institucionet t’i respektojnë afatet kushtetuese dhe procedurat e përcaktuara me ligj.









