Gjykata Kushtetuese ka vendosur se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari – deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje – e ka shkelur Kushtetutën.
Kjo sepse, ai nuk ka vepruar në përputhje me “Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025”.
Pika tjetër e vendimit të Kushtetueses është se kryetari i Kuvendit mund të zgjidhet vetëm me votim të hapur.
Gjithashtu, një kandidat mund të propozohet vetëm tri herë për kryetar Kuvendi e jo më shumë.
Sipas vendimit, kryesuesi i seancave obligohet “të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”.
Vendimi thotë se të gjithë deputetët duhet të qëndrojnë në sallë dhe duhet të votojnë për zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së re të parlamentit.










