Avni Dehari i VV-së në rolin e Kryesuesit të Seancës konstituive të Kuvendit, do të duhej që seancat t’i thirrte jo më larg se 48 orë nga njëra-tjetra. Por, nuk e bëri. Ky është konstatimi që Gjjykata Kushteutese ka dhënë në aktgjykimin e plotë të publikuar këtë të martë(29 shtator) në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe votimin e Qeverisë.
“Gjykata rikujton që në rastet KO193/25 dhe KO196/25 kishte vlerësuar se Kryesuesi i Seancës mbajtjen dhe zhvillimin e procedurës së Seancës Konstituive duhet ta realizojë në pajtim me detyrimet e përcaktuara me Kushtetutë, Kreun IV të Rregullores së Punës dhe përcaktimet e Aktgjykimit në rastet KO193/25 dhe KO196/25. Gjykata në kuptim të përpjekjeve të vazhdueshme të Kuvendit për zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve brenda afatit 30 (tridhjetë) ditor nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit në rastet KO193/25 dhe KO196/25 kishte rikujtuar rëndësinë e asaj që Kryesuesi i Seancës Konstituive mbajtjen e Seancës Konstituive duhet ta realizojë në pajtim më paragrafin 5 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton që “Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.” (shih, rastet e Gjykatës KO193/25 dhe KO196/25, cituar më lart, paragrafi 157)”, thotë Gjykata në konstatimin e saj.
“Gjykata vëren se neni 76 i Kushtetutës e konsideron Rregulloren e Kuvendit, të miratuar nga 2/3 e votave të deputetëve si një akt me fuqi ligjore detyruese përmes së cilës rregullohet organizimi dhe funksionimi i Kuvendit. Për më tepër, kjo dispozitë kushtetuese obligon Kuvendin të veprojë brenda procedurave të miratuara nga vetë Kuvendi në përputhje me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës (shih, rastin e Gjykatës KO124/25, cituar më lart, paragrafi 148). Në këtë kuptim, Gjykata thekson se Kryesuesi i Seancës Konstituive është i detyruar që kompetencat e tij t’i ushtrojë në atë mënyrë që të sigurojë vazhdimin e Seancës Konstituive brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit”, shton.
“Gjykata thekson se Kryesuesi i Seancës Konstituive është i detyruar që kompetencat e tij t’i ushtrojë në atë mënyrë që të sigurojë vazhdimin e Seancës Konstituive brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit”, thotë Kushtetuesja në fund të konstatimit për veprimet e Avni Deharit.
Gjykata Kushtetuese gjithashtu në aktgjykimin e saj ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas afatit 30 ditor pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Seanca për konstituimin e Kuvendit ishte ftuar fillimisht më 6 gusht, një ditë para përfundimit të afatit kushtetues që ishte më 7 gusht.
Ky afat u tejkalua pasi që Kryetari i VV-së, kërkoi kohë për dakordësim për çështjen e Presidentit, andaj seanca e radhës u mbajt më 8 gusht, pas kalimit të afatit.
Për një muaj rresht, Kryesuesi i seancës, Avni Dehari nuk thirri seancë të re.
Derisa përfundimisht, më 9 shtator u mbajt seanca e radhës ku Albulena Haxhiu u zgjodh Kryetare e Kuvendit, për të vazhduar më pas më 11 shtator me zgjedhjen e nënkryetarëve.









