Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim që përfundimisht i jep zgjidhje situatës politike në Kosovë dhe e mundëson zhbllokimin institucional.

E, para se të merrej ky vendim Albin Kurti, Albulena Haxhiu Hekuran Murati dhe të gjithë në Vetëvendosje thanë se do ta respektojnë cilido që të jetë vendimi i gjykatës.

Pra gjithçka në rregull. Apo jo.

Vendimi, përmbledhur shkurtimisht thotë se: Avni Dehari ka bërë shkelje Kushtetuese, sepse nuk ka respektuar vendimin paraprak të gjykatës.

Se votimi për kryetar Kuvendi duhet të jetë i hapur dhe jo i fshehtë dhe se Partia e parë ka të drejtë ta propozojë vetëm tri herë një kandidat të njëjtë për kryetar Kuvendi.

Kjo do të thotë që Lëvizja Vetëvendosje ka bërë shkelje kushtetuese në tri drejtime: E ka shkelur Kushtetutën kur ka propozuar votim të fshehtë. E ka shkelur Kushtetutën kur nuk e ka respektuar vendimin paraprak të gjykatës. Dhe e ka shkelur Kushtetutën kur e ka propozuar Albulena Haxhiun pafundësisht.

A do ta respektojë tash Vetëvendosja këtë vendim siç vetë thanë në fillim. Normalisht që jo.

Por, askujt sot nuk duhet t’i interesojë se çka thonë këta, dhe vesh për ta duhet të ketë vetëm kur dëgjohet fjalia e kërkim faljes.

Gabimi më i madh do të ishte nëse krijohet hapësira për ta ridiskutuar një vendim të cilin vetë thanë se do ta respektojnë.

Dhe po është e vërtetë shkeljet e Kushtetutës nuk të mbyllin në burg, ama duhet të ta hapin mendjen e secilit qytetar për t’i larguar përgjithmonë nga jeta politike njerëzit që institucionet i respektojnë vetëm atëherë kur ato iu shërbejnë.