Luka Misetiç, avokat i Hashim Thaçit, duke sfiduar narrativën e Prokurorisë së Gjykatës Speciale, ka thënë se ish-Presidenti serb, Milan Milutinoviç, nuk u dënua nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi për shkak se ishte figurë politike edhe pse shteti i tij kreu krime, ndërsa Hashim Thaçi që ka qenë udhëheqës politik i UÇK-së po kërkohet që të dënohet.
Në këtë situatë, një vendim dënues për Thaçin, Misetiç konsideron se “do të përbënte një përmbysje të historisë dhe një padrejtësi juridike dhe historike”.
Pjesë nga fjala përfundimtare e avokatit të Thaçit:
ZPS-ja po ju kërkon që të konstatoni (13:15), vetëm mbi bazën e inferencës, se në fakt ishte UÇK-ja ajo që kishte planifikuar një ndërmarrje të përbashkët kriminale, muaj dhe ndoshta vite më herët, por jo më vonë se marsi i vitit 1998. Për më tepër, jurisprudenca e GJPNJ-së ka përcaktuar se udhëheqësi politik serb, Presidenti Milan Milutinoviq, nuk ishte penalisht përgjegjës për ngjarjet në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, pikërisht sepse ai ishte (13:44) një figurë politike që nuk kishte kontroll efektiv mbi forcat e RFJ-së dhe, rrjedhimisht, nuk dha (13:52) një kontribut të rëndësishëm në një NPK.
ZPS-ja po ju kërkon këtu të konstatoni se, ndonëse presidenti serb i një shteti të organizuar dhe të konsoliduar mirë nuk ishte penalisht përgjegjës për krime masive lufte dhe krime kundër njerëzimit për shkak të mungesës së kontrollit efektiv, ju duhet, vetëm mbi bazën e inferencës, të konstatoni se udhëheqësi politik shqiptar i Kosovës i UÇK-së, një grup i armatosur joshtetëror që kishte ekzistuar vetëm për disa muaj, kishte kontroll efektiv dhe ishte penalisht përgjegjës.
Një rezultat i tillë do të përbënte një përmbysje të historisë dhe një padrejtësi juridike dhe historike.
Të nderuar gjyqtarë, rasti i ZPS-së nuk është interpretimi i vetëm i arsyeshëm i provave, që është standardi që duhet të përmbushet në mënyrë që ju të rishkruani historinë e Kosovës në këtë çështje dhe të shpallni fajtor Hashim Thaçin.”








