Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar pas akuzave se Kryeprokurori i saj, Blerim Isufaj, ka ndërhyrë në proceset vendimmarrëse të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK). Në një deklaratë për media, PSRK-ja ka cilësuar si të pabazuara të gjitha pretendimet për ndikim në punën e Këshillit.
“PSRK-ja dhe as Kryeprokurori nuk ka ushtruar dhe nuk mund të ushtrojë ndikim në çështjet që janë kompetencë ekskluzive e KPK-së. Çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së dëmton integritetin e sistemit prokurorial”, thuhet në reagim.
Në njoftim theksohet se Isufaj mbetet i përkushtuar në ushtrimin e mandatit të tij në krye të Prokurorisë Speciale, duke hedhur poshtë spekulimet për ambicie apo pozicione tjera brenda sistemit. Sipas PSRK-së, këtë e dëshmon edhe emërimi i një prokurori tjetër nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit.
“Prokuroria Speciale riafirmon angazhimin për të vazhduar përmbushjen e funksioneve të saj me pavarësi të plotë, në shërbim të interesit publik, me përkushtim dhe transparencë”, thuhet më tej në reagim.
Reagimi vjen një ditë pasi gjysma e anëtarëve të KPK-së dhe përfaqësues të shoqërisë civile kontestuan vendimin e marrë nga pjesa tjetër e KPK-së për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Ata pretendojnë se KPK-ja nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje, çka sipas tyre, është pranuar fillimisht edhe nga vetë anëtarët që votuan për shkarkimin. Në mesin e akuzave, përgjegjës për situatën u bë edhe Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, akuzë që PSRK e cilëson si të pabazë dhe tendencioze.









