Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se me shkarkimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, u dërgua nga pushteti një mesazh i rrezikshëm për prokurorët dhe gjykatësit: kujdes se kë hetoni dhe kujdes se çfarë vendosni.

“Shkarkimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale është alarm për drejtësinë dhe për shtetin. Sot u dha një mesazh i rrezikshëm për prokurorët dhe gjykatësit: kujdes se kë hetoni dhe kujdes se çfarë vendosni”, shkroi Bajrami në Facebook.

Ajo theksoi se vota qytetare i jep pushtetit të drejtën të qeverisë, “jo të kontrollojë Prokurorinë dhe gjykatat. KPK-ja nuk duhet të jetë vegël e asnjë pushteti politik”.

“Nëse një prokuror mund të largohet sepse vendimet e tij nuk i pëlqejnë pushtetit, atëherë nesër askush në drejtësi nuk mund të ndihet i sigurt kur heton një ministër, një deputet apo cilindo zyrtar të fuqishëm”, potencoi ajo.

Sepse, konsideron ajo, “kur pushteti kontrollon institucionet që duhet ta kontrollojnë atë, qytetari mbetet i pambrojtur”. “Këtë nuk duhet ta pranojmë si normale dhe nuk do ta pranojmë!”.

Blerim Isufaj u shkarkua nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale në mbledhjen e jashtëzakonshme të së premtes të Këshillit Prokurorial të Kosovës, për shkak të gjoja efikasitetit të dobët të Prokurorisë që ai e udhëhiqte.

Në vend të Isufajt, si ushtrues detyre u caktua prokurori Dren Paca.

Që nga koha kur Albin Kurti e ka marrë pushtetin, ai dhe vartësit e tij vazhdimisht e kanë sulmuar Isufajn.