A i keni parë reagimet e Liburn Aliut, Fitore Pacollit e Faton Pecit?

Të gjithë ministra të Albin Kurtit që po hetoheshin për krim qeveritar.

Por, nuk po hetohen më. Hetimet ndaj tyre kanë pushuar, sepse ka pushuar së qenuri kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Ai që me mllef kundër tij fliste Albin Kurti.

“Nuk bën ky me u ba kryeprokuror, edhe ai vetë e din që s’bën, është shumë interesant qysh po insiston”, deklaronte Kurti për Isufajn.

Dhe ja pse nuk bënte.

As një muaj prej kur u shkarkua Kryeprokurori i Speciales që i ulte me rend në dhomën e hetuesisë ministrat e Kurtit, e i priste e përcillte në Speciale, tashmë po vërehet dora e pushtetit në Prokurorinë ku hetohet krimi e korrupsioni i madh.

Fitore Pacollit i pushuan hetimet.

Liburn Aliut po ashtu.

Patjetër edhe Faton Pecit.

Peci e ka një tjetër rast në Speciale, atë për mashtrimin milionësh me fabrikën e mbetjeve shtazore, por tash me Kryeprokuror një njeri të Vetëvendosjes, ish-ministri është shpresëplotë se edhe ky rast do t’i pushohet.

Kështu pra “po rregullohen gabimet” e Blerim Isufajt, jo duke e hetuar krimin e korrupsionin e vjetër siç pretendonte Vetëvendosja, por thjesht duke e fshehur e zhdukur krimin e ri.

E befasishme nuk do të jetë kur radha do t’i vije të pushojnë hetimet për Artane Rizvanollin, Martin Berishajn, Hysen Durmishin, e të tjerë… e për Rozeta Hajdarin janë vonuar pak, meqë tash ka aktakuzë…

Dhe një gjë është e sigurt, Albin Kurti i shpëtoi përkohësisht frikës së tij të madhe që se lejonte të shkonte për të dëshmuar në prokurori… 

“Ata po dëshirojnë që ta prodhojnë një xhirim të shkurtër, ose një fotografi, që kryeministri i Kosovës po intervistohet për një rast korrupsioni”, shprehte frikën e tij Kurti në televizion.

Ose ai do t’i gjejë vetës ca prokurorë, që “guxojnë” ti shkojnë në zyre…

“Unë guxoj mos me ardhë, tash ta shohim a guxoni ju me ardhë…”, i drejtohej Kurti prokurorëve dikur…