Në fjalimin hapës të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se po u drejtohej të pranishmëve “nga zemra”, duke theksuar se “sot është një ditë e rëndë për mua”.

“S’është e lehtë për mua. Jo për shkak të karriges, karriget merren, bëhen dhe një ditë lihen, por sepse është e rëndë të qëndrosh para njerëzve me të cilët ke ecur gjatë dhe se sot nuk na ka mbledhur ajo që duam ta ndërtojmë bashkërisht, por kërkesa që ta rrëzojmë njërin prej nesh”, ka thënë ai.

“Këtë kuvend nuk po e shoh dhe nuk po e ndiej si festë, as unë e as anëtarësia, sepse nuk po mblidhemi për të zgjedhur, por për të rrëzuar”, u shpreh Abdixhiku.

“Dua të them me keqardhje të madhe, se këtë Kuvend as nuk e ndiej e as nuk e shoh si festë. Dhe të mbeteni të sigurt se anëtarësia e jonë, e lënduar shumë, as nuk e sheh as nuk ndien. Për herë të parë në historinë tonë 37-vjeçare, nuk po mblidhemi jo për të zgjedhur por për të rrëzuar. Për këtë është mbledhur LDK sot, për të rrëzuar”, tha Abdixhiku.