Dy javë para zgjedhjeve, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës tw martwn ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka ndarë miliona euro për disa kategori.

Ajo që mori më së shumti vëmendje dhe reagime ishte ndarja e 2 milionë eurove për, siç thanë ata, zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës”, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për subvencionimin e linjave ajrore që i shërbejnë diasporës.

Anëtari i PDK-së, Përparim Gruda, shkroi në Facebook se: “Kur pushteti përdor buxhetin e Kosovës për fushatë, zgjedhjet nuk janë më as të lira dhe as të ndershme. Prokuroria e Shtetit duhet të nisë menjëherë hetime për këtë skandal dhe për përgjegjësit e këtij vendimi. Heshtja në këtë rast do të ishte bashkëfajësi”.

Ndërsa ish-ministrja e Financave dhe anëtarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se me këto para po tentohet të blihet vota e qytetarëve.

“Mos harroni: këto janë paratë e rrugëve që nuk u kryen, të shkollave dhe çerdheve që nuk u ndërtuan, të digjitalizimit të arsimit që nuk nisi asnjëherë, të barnave që mungojnë në spitale dhe të naftës që e keni paguar më shtrenjtë. Mbi të gjitha, janë paratë tuaja dhe tonat, me të cilat po tentohet të blihet vota juaj më 7 qershor dhe, bashkë me të, edhe heshtja juaj për katër vjet”, shkroi Bajrami.