Lëvizja Vetëvendosje ka bërë shpenzime më së shumti gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit – dukshëm më shumë se partitë e tjera.

Sipas raportit të auditimit të deklarimeve financiare të subjekteve politike, partia në pushtet ka shpenzuar plot 1 milion e 702 mijë e 36 euro e 55 cent, ndërsa ka pasur të hyra prej 1 milion e 112 mijë e 143 euro e 74 cent.

Si rezultat, Vetëvendosje ka përfunduar me një deficit prej 589 mijë e 892 euro e 81 cent. Pra, ka shpenzuar më shumë sesa ka pasur të ardhura rreth 600 mijë euro.

Në raport theksohet se shpenzimet më të mëdha të Vetëvendosjes janë bërë për reklama, reprezentacion dhe konferenca, që në total arrijnë në 1.18 milion euro. Po ashtu, rreth 200 mijë euro janë shpenzuar për transport dhe mbi 237 mijë euro për shpenzime të përgjithshme dhe të ndryshme.

Shpenzimet dhe të hyrat e Vetëvendosjes.

Në anën tjetër, edhe partitë opozitare kanë mbyllur fushatën me bilanc negativ, megjithëse me shifra më të ulëta.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur të hyra prej 94 mijë e 160 euro e 15 cent, ndërsa shpenzimet kanë arritur në 358 mijë e 515 euro e 17 cent, duke rezultuar në deficit prej 264 mijë e 355 euro e 62 cent.

Shpenzimet dhe të hyrat e LDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar të hyra prej 559 mijë e 62 euro e 98 cent dhe shpenzime prej 934 mijë e 749 euro e 39 cent, me deficit prej 357 mijë e 686 euro e 41 cent.

Shpenzimet dhe të hyrat e PDK-së.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka përfunduar me deficit të lartë, pasi ka pasur vetëm 18 mijë e 157 euro të hyra, ndërsa shpenzimet kanë qenë 337 mijë e 237 euro e 35 cent, me diferencë prej 319 mijë e 80 euro e 35 cent.

Shpenzimet dhe të hyrat e AAK-së.

Raportet e auditimit tregojnë se të gjitha partitë kryesore kanë shpenzuar shumë më tepër se sa kanë pasur në dispozicion.